Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 02.02.2026, ora 13:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 46/2024, datë 11.11.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 803, datë 01.10.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Periand Teta.
Kryesuesi i trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 803, datë 01.10.2024, që ka konfirmuar në detyrë subjektin e rivlerësimit z. Periand Teta dhe shqyrtimin e çështjes në zbatim të dispozitave të nenit 58, pika 2, të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Subjekti i rivlerësimit arsyetoi në mënyrë të detajuar arsyet se përse ligjërisht ky ankim duhet të konsiderohet i paqartë, i palotë dhe në cenim të parimit të sigurisë juridike, si dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 803, datë 01.10.2024, që e ka konfirmuar në detyrë me statusin e ndihmësit ligjor, pas vlerësimit pozitiv në të tria kriteret, të pasurisë, profesionalizmit dhe figurës.
Subjekti i rivlerësimit iu përgjigj edhe disa pyetjeve të relatores në funskion të shqyrtimit të çështjes.
Në vijim, pasi palët nuk kishin kërkesa procedurale, trupi gjykues i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se, pasi dëgjoi arsyetimin e subjektit të rivlerësimit, debatin gjyqësor, kërkimin e z. Periand Teta, duke marrë parasysh faktin që z. Teta ka përfunduar me sukses procesin e rivlerësimit në të tria kriteret, vlerësoi si të pazbatueshme dispozitat e nenit 58, pika 2 të ligjit 84/2016 dhe deklaroi përfundimisht heqjen dorë nga ankimi.
Pasi dëgjoi kërkimin përfundimtar të përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, subjekti i rivlerësimit i kërkoi përfundimisht Kolegjit pushimin e shqyrtimit të çështjes (JR) 46/2024, datë 11.11.2024.
Pasi dëgjoi kërkimet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 03.02.2026, ora 09:30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
