Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 18.02.2022, ora 09:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 62/2019, datë 12.12.2019 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Dhurata Haveri kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 197, datë 27.09.2019.
Në këtë seancë gjyqësore u thërrit në cilësinë e dëshmitarit, shtetasi V.V, i cili iu përgjigj pyetjeve të përfaqësueses ligjore të subjektit të rivlerësimit, pyetjeve sqaruese dhe verifikuese të trupit gjykues si dhe pyetjeve të vëzhgueses ndërkombëtare të ONM-së.
Në mbështetje të përgjigjeve të tij, dëshmitari depozitoi disa akte shkresore.
Në kuadër të shpjegimeve të z. V.V në cilësinë e dëshmitarit, por njëkohësisht edhe në cilësinë e personit tjetër të lidhur me subjektin e rivlerësimit, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 4 mars 2022, ora 10:00, në funksion të vendimmarrjes lidhur me pranimin ose jo si provë të akteve të paraqitura nga dëshmitari.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.