Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 27.01.2025, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 23/2022, datë 30.05.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 524, datë 08.04.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elfrida Bregova.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se ishte paraqitur Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, prezenca e të cilit në këtë proces gjyqësor legjitimohej bazuar në nenin 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dispozitë që ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit të çelë hetimin gjyqësor të çështjes, për të kërkuar dhe administruar dokumente shtesë nga shoqëria ndërtuese e apartamentit të deklaruar nga subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur me të, si dhe një raport të përditësuar nga AKSIK lidhur me kriterin e vlerësimit të figurës.
Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesja ligjore paraqitën prapësimet lidhur me shkaqet e ankimit dhe në mbështetje të pretendimeve të tyre, depozituan akte, të cilat kërkuan të pranohen në cilësinë e provës nga Kolegji.
Pas disa pyetjeve të vëzhguesit ndërkombëtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në funksion të shqyrtimit të çështjes dhe përgjigjeve të subjektit të rivlerësimit dhe përfaqësueses ligjore, trupi gjykues vendosi:
– Të marrë në cilësinë e provës aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit;
– Të administrohet informacion nga shoqëria ndërtuese, për sa i përket veprimeve të kryera nga ana e shoqërisë për apartamentin e deklaruar nga subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur me të, si dhe të qartësojë mënyrën e pagesës, kohën e kryerjes së pagesave, shumat përkatëse dhe personat që i kanë realizuar ato;
– Të kërkohet përditësimi i raportit të datës 02.11.2017 nga AKSIK, me qëllim administrimin e informacionit nga institucioni verifikues, të dhënat e të cilit nuk janë marrë në shqyrtim gjatë hartimit të raportit të parë.
Në pritje të mbërritjes së informacionit në adresë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe përcjelljen e tij palëve, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën e radhës për në datën 19.02.2025, ora 10:00.
Kryesuesja e seancës bëri me dije se palëve do t’u përcillet një denoncim i ardhur në Kolegj në muajin gusht 2024, lidhur me të cilin duhet të mbajnë qëndrim në seancën e radhës.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.