Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 09.04.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 25/2024, datë 03.07.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 760, datë 26.04.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ardiana Bera.
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 199 i Kodit të Procedurës Civile ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit për kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe atë të aftësive profesionale, përfaqësuesi i Prokurorisës së Posaçme deklaroi se ndan mendim të kundërt me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit që ka konfirmuar në detyrë subjektin e rivlerësimit. Ai çmoi se subjekti i rivlerësimit nuk arrin të provojë ligjshmërinë e burimeve të krijimit të pasurisë, ndërsa i kërkoi Kolegjit që të marrë në konsideratë në vlerësimin tërësor të çështjes mënyrën e trajtimit të një çështjeje nga subjekti i rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës, të cilën, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk e ka konsideruar gjatë procesit administrativ, pasi e ka konsideruar çështje ende nën shqyrtim. Z. Xholi i kërkoi Kolegjit, që pasi të marrë në konsideratë shkaqet e ankimit, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 760, datë 26.4.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Ardiana Bera.
Përfaqësuesja ligjore dhe vetë subjekti i rivlerësimisht kundërshtuan shkaqet e ankimit dhe në mbështetje të pretendimeve të tyre depozituan akte shtesë, që kërkuan të pranohen si provë nga trupi gjykues. Lidhur me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, subjekti i rivlerësimit deklaroi se kërkesa e përfaqësuesit të Prokurorisë së Posaçme nuk duhet të bëhet pjesë e shqyrtimit të çështjes, pasi nuk ekziston një shkak ankimi i qenësishëm në këtë kuadër. Megjithatë, subjekti i rivlerësimit, znj. Bera, dha shpjegimet e saj rreth qëndrimit mbi çështjen gjyqësore.
Kryesuesja e seancës gjyqësore bëri me dije se në Kolegj janë depozituar disa denoncime, të cilat u janë përcjellë palëve. Përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme çmoi se këto denoncime nuk përmbajnë shkaqe për hetime të mëtejshme. Subjekti i rivlerësimit, duke shprehur dakordësinë me qëndrimin e sipërcituar, dorëzoi prova shtesë për të vërtetuar të kundërtën e pretendimeve të ngritura në këto denoncime.
Në vijim, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe subjekti i rivlerësimit iu përgjigjën disa pyetjeve të relatores së çështjes në funksion të shqyrtimit të çështjes.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi:
të pranojë të cilësinë e provës informacionin dhe aktin shoqërues të tij të lëshuar nga shoqëria ndërtuese e apartamentit në pronësi të subjektit të rivlerësimit;
të mos pranojë si provë dokumentacionin e të ardhurave të vëllait të subjektit të rivlerësimit në Angli, pasi nuk është në formën e kërkuar nga ligji;
Të mos hetojë më tej për denoncimet, pasi nuk plotësojnë kriteret e nenit 53 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, pasi dëgjoi edhe qëndrimin e përfaqësuesit të Prokurorisë së Posaçme lidhur me to.
Pasi palët nuk kishin kërkesa procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe i ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare në seancën e ardhshme, që do të zhvillohet më datë 05.05.2025, ora 12:30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.