Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 10.06.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 8/2023, datë 24.02.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 600, datë 19.12.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Robert Kote.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 199 i Kodit të Procedurës Civile ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Klodian Braho, i pranishëm në seancë.
Prëfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme paraqiti shkaqet e ankimit për kriterin e vlerësimit të pasurisë, ndërsa sa i përket vlerësimit të aftësive profesionale paraqiti gjetje të lidhura me procedime penale të trajtuara nga subjekti i rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës, të cilat kërkoi të merren në konsideratë nga Kolegji në vlerësimin tërësor të çështjes, në kuadër të cenimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë. Z. Klodian Braho kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 600, datë 19.12.2022 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit pretendoi të kundërtën e shkaqeve të ankimit dhe në mbështetje të pretendimeve të tij depozitoi disa akte të reja, të cilat kërkoi të pranohen si provë nga trupi gjykues.
Përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se nga ana formale nuk kishte kundërshtim për administrimin si provë të akteve, por konstatoi mungesën e një vendimi të shkurtuar të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, të cituar si akt nga subjekti i rivlerësimit.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, duke i dhënë mundësi këtij të fundit të paraqesë në Kolegj aktin e munguar, para seancës së ardhshme gjyqësore, që do të zhvillohet më datë 18.06.2025, ora 10:00.
Ky akt do t’i përcillet edhe përfaqësuesit të Prokurorisë së Posaçme për qëllime vlerësimi në konkluzionet përfundimtare, për të cilat, palët duhet të jenë të përgatitura në seancën e datës 18.06.2025.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.