Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 21.07.2025, ora 09:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 27/2023, datë 04.07.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 660, datë 16.05.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Majlinda Andrea.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës gjyqësore konstatoi prezencën e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodian Braho dhe mungesën e subjektit të rivlerësimit znj. Majlinda Andrea, e cila nuk ishte e pranishme as në seancën e mëparshme.
Në vijim të vendimit të ndërmjetëm të marrë gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar më datë 14.07.2025, kryesuesja relatoi se në Kolegj ka mbërritur përgjigjja e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGj), në të cilën konfirmohet mosnxjerrja e një akti për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për subjektin e rivlerësimit Majlinda Andrea, përgjigje e cila u është përcjellë palëve.
I pyetur për një qëndrim lidhur me këtë përgjigje, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodian Braho deklaroi se do të shprehet në konkluzionet përfundimtare.
Trupi gjykues vendosi të administrojë në cilësinë e provës përgjigjen e KLGj-së dhe mbylli hetimin gjyqësor të çështjes.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, z. Braho deklaroi se Këshilli i Lartë Gjyqësor është shprehur në përgjigjen e tij se nuk ka një vendim për përfundimin e statusit të magjistratit për znj. Majlinda Andrea, çka do të thotë që institucionet e juridiksionit të zakonshëm disiplinor kushtetues nuk kanë ushtruar kompetencat e kryerjes së hetimit dhe procedimit disiplinor me qëllim shkarkimin e subjektit të rivlerësimit dhe humbjen e statusit të magjistratit. Z. Braho konstatoi se këto institucione janë në kushtet e mosveprimit dhe i kërkoi përfundimisht Kolegjit të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 660, datë 16.05.2023; të deklarojë të përfunduar procesin e rivlerësimit për znj. Majlinda Andrea pa një vendim përfundimtar, për shkak të humbjes së statusit të magjistratit.
Trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 23.07.2025, ora 15:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.