Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 29.09.2025, ora 13:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 38/2023, datë 04.09.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 673, datë 15.06.2023, për subjektin e rivlerësimit Mirela Zavalani.
Kryesuesi i trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit për kriterin e vlerësimit të pasurisë, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme vlerësoi se deklarimet e subjektit të rivlerësimit, znj. Mirela Zavalani, janë të paqarta e kontradiktore në raport me aktet në dosje, duke e bërë deklarimin e saj të pabesueshëm, të pasaktë, si dhe duke pamundësuar kontrollin e ligjshmërisë së burimeve të pasurisë së saj e personave të lidhur me të. Z. Adnan Xholi i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë shkaqet e ankimit, duke disponuar çeljen e hetimit gjyqësor për të pranuar prova të reja gjatë këtij procesi, me qëllim arritjen e një konkluzioni të drejtë për çështjen.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit znj. Mirela Zavalani dhe përfaqësuesja e saj ligjore dhanë shpjegime të detajuara për secilin prej shkaqeve të ankimit dhe i kërkuan Kolegjit të çelë hetimin gjyqësor të çështjes, duke pranuar si provë aktet e reja bashkëlidhur parashtrimeve, për të cilat deklaruan se saktësojnë çdo rrethanë të paqartë të hetimit administrativ të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kulaifikimit, si dhe mbështesin bindshëm standardin e besueshmërisë së subjektit të rivlerësimit në deklarim.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi çeljen e hetimit gjyqësor të çështjes, duke pranuar në cilësinë e provës aktet shkresore të individualizuara nga subjekti i rivlerësimit në parashtrimet me shkrim të depozituara si dhe në inventarin e provave që i bashkëlidhet këtyre parashtrimeve.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare në seancën e ardhshme, të datës 16.10.2025, ora 8:30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.