Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 13.11.2025, ora 13:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 15/2024, datë 17.04.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 739, datë 26.02.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Mimoza Margjeka.
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, i pranishëm në seancë.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës konstatoi praninë e subjektit të rivlerësimit Mimoza Margjeka, ndërsa bëri me dije se përfaqësuesja e saj ligjore i kishte drejtuar një kërkesë Kolegjit, nëpërmjet së cilës, kërkonte shtyrjen e seancës gjyqësore për shkak të pamundësisë objektive të saj për të marrë pjesë në të e për të realizuar procesin e mbrojtjes.
Në qëndrimin e tij lidhur me këtë kërkesë, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, shprehu dakordësinë për pranimin e kërkesës, nëse subjekti i rivlerësimit e konsideron të rëndësishme praninë e përfaqësueses ligjore.
Pasi trupi gjykues dëgjoi qëndrimin e subjektit të rivlerësimit që e çmoi të domosdoshme praninë e përafqësueses ligjore në procesin e mbrotjes, trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën dhe të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 15.12.2025, ora 13:00, për t’i dhënë mundësi znj. Margjeka të realizojë mbrojtjen e saj, duke shmangur zvarritjen e gjykimit të çështjes.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
