Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 04.12.2025, ora 13:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR)17/2024, datë 21.05.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr.735, datë 31.01.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Dritan Nushi.
Kryesuesi i trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, referuar procedimeve penale të trajtuara nga subjekti i rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës, deklaroi se vërehen mangësi në çmuarjen e provave, arsyetimin ligjor, si dhe në ndërmarrjen e veprimeve të duhura hetimore. Sipas z. Braho, qasja e treguar nga subjekti i rivlerësimit për moszbatimin e legjislacionit në fuqi lidhur me një ndërtim të paligjshëm mbi një pasuri në përdorim të tij, mosveprim ky që bie ndesh me etikën e prokurorit, si dhe deklarimet kontradiktore të subjektit sa i përket një pasurie të blerë, e regjistruar nga prindërit e tij, të cilat kanë çuar në pamundësi objektive për të kontrolluar burimet e krijimit të saj, duhen marrë në konsideratë nga Kolegji në një vlerësim të përgjithshëm të të tria kritereve të rivlerësimit e duke iu referuar nenit 61, pika 5 të ligjit 84/2016, cenimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se gjatë procesit në Kolegj, subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të paraqesë prova dhe argumenta shtesë në kundërshtim të ankimit, por referuar gjendjes që janë aktet aktualisht, z. Braho kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 735, datë 31.01.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Dritan Nushi.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi ankimin e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme si të pambështetur në prova e ligj, por në interpretime të njëanshme e të fragmentarizuara, si dhe në mungesë të argumenteve ligjorë për të përmbysur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e ka konfirmuar atë në detyrë. Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesja e tij ligjore dhanë shpjegime të detajuara në prapësim të shkaqeve të ankimit dhe në mbështetje të pretendimeve të tyre depozituan disa akte, të cilat kërkuan të pranohen në cilësinë e provës. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit rrëzimin e ankimit, çeljen e hetimit gjyqësor të çështjes me qëllim marrjen e provave të reja dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 735, datë 31.01.2024.
Lidhur me denoncimet, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se nuk përmbajnë shkaqe për hetime të mëtejshme, qëndrim të cilin e ndau edhe subjekti i rivlerësimit.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor të çështjes, duke pranuar në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, përveç atyre që janë tashmë pjesë e fashikullit të dosjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Lidhur me denoncimet, pasi dëgjoi qëndrimet e palëve dhe u njoh me aktet bashkëlidhur tyre, trupi gjykues vendosi të mos ndërmarrë hetime të mëtejshme, pasi nuk përmbushen rrethanat e nenit 53 të ligjit 84/2016, ndërkohë që për një prej tyre u vlerësua se hetimi i mëtejshëm i tij binte ndesh me përcaktimet e nenit E, pika 2 e Aneksit të Kushtetutës.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor, duke ftuar palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancën e radhës që do të zhvillohet më datë 16.12.2025, ora 9:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
