Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 15.12.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 54/2023, datë 14.11.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 698, datë 15.09.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gjergji Tako.
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit lidhur me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se ndan qëndrim të ndryshëm nga ai i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që, pas konstatimit të mangësive të përsëritura profesionale nga ana e subjektit të rivlerësimit, pati vendosur pezullimin e tij nga detyra dhe detyrimin për të ndjekur trajnimin 1- vjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës. Z. Klodjan Braho deklaroi se nga analiza e akteve në dosje rezulton se subjekti i rivlerësimit ka dështuar të arrijë qoftë dhe nivelin minimal të kualifikimit për këtë kriter dhe se problematikat janë të tilla, që duhej aplikuar masa e shkarkimit nga detyra.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme vlerësoi gjithashtu se janë evidentuar sjellje të subjektit të rivlerësimit jashtë ushtrimit të funksionit në raport me zbatimin e ligjit, që cenojnë etikën e magjistratit, të cilat z. Braho i kërkoi Kolegjit t’i marrë në konsideratë në vlerësim të përgjithshëm të çështjes.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se gjatë procesit në Kolegj, subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të paraqesë prova dhe argumenta shtesë në kundërshtim të ankimit, por referuar gjendjes që janë aktet aktualisht, z. Braho kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 698, datë 15.09.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Gjergji Tako.
Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesja e tij ligjore kundërshtuan ankimin, duke deklaruar se mangësitë teknike të evidentuara gjatë ushtrimit të detyrës kanë qenë teknike dhe jo vetëm që nuk kanë prodhuar pasoja në hetimin e procedimeve penale, por nuk janë të tilla që të kenë cenuar besimin e publikut tek drejtësia apo që të mund të justifikojnë kërkimin e masës së shkarkimit nga detyra. Subjekti i rivlerësimit deklaroi gjithashtu, se trajnimi i kryer në Shkollën e Magjistraturës ka rritur aftësitë e tij profesionale në funksion të ushtrimit të detyrës. Z. Gjergji Tako dha shpjegime të detajuara për secilin prej procedimeve penale pjesë të ankimit, duke depozituar akte të reja në mbështetje të pretendimeve të tij, të cilat kërkoi të pranohen si provë nga trupi gjykues.
Lidhur me denoncimet, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se vetëm një denoncim, ai i shtetasit A. L ka shkaqe për hetime të mëtejshme dhe i kërkoi Kolegjit çeljen e hetimit gjyqësor në këtë kuadër.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve të relatorit të çështjes lidhur me veprimet procedurale të ndërmarra prej tij lidhur me procedimin penal të trajtuar në këtë denoncim.
Trupi gjykues vendosi çeljen e hetimit gjyqësor, duke marrë në cilësinë e provës të gjitha aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit si dhe të mos vijojë me hetimin e denoncimeve të paraqitura në Kolegj për të cilat nuk plotësohen kriteret e nenit 53 të ligjit nr. 84/2016.
Trupi gjykues vendosi të hetojë vetëm lidhur me denoncimin e shtetasit A. L, duke i kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe nga Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë aktet procedurale që lidhen me një procedim penal në ngarkim të këtij shtetasi.
Në funksion të pritjes së përgjigjes nga institucionet e sipërcituara, u vendos shtyrja e seancës gjyqësore për në datën 26.01.2026, në orën 09:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
