Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 29.01.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 42/2024, datë 28.10.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 779, datë 28.06.2024, për subjektin e rivlerësimit Aurel Zarka.
Kryesuesja e seancës gjyqësore bëri me dije se ditën e sotme, në Kolegj është depozituar një deklaratë e dërguar nga subjekti i rivlerësimit, z. Aurel Zarka, nëpërmjet së cilës ai bën me dije se ka zgjedhur të mos marrë pjesë në seancën gjyqësore, por të përfaqësohet në të nga avokati z. Julian Mërtiri.
Në vijim të seancës së mëparshme, palët konfirmuan njohjen me gjetjen e vëzhguesit ndërkombëtar dhe aktet shoqëruese të saj.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi,pas analizimit të akteve të mësipërme, raporteve të organeve ligjzbatuese, gjetjes së vëzhguesit ndërkombëtar, deklaroi se me sjelljen e tij subjekti i rivlerësimit z. Aurel Zarka ka cenuar rëndë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë dhe për rrjedhojë, nuk përmbush standardet kushtetuese dhe ligjore të integritetit të nevojshëm për vijimin e detyrës.
Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit, z. Julian Mërtiri, deklaroi se gjetja e vëzhguesit ndërkombëtar është evazive dhe e paqartë, për aq kohë sa bazohet në akte, vërtetësia e të cilave varet nga vendimi i formës së prerë të hetimit penal që po vijon në ngarkim të z. Zarka. Përfaqësuesi ligjor kërkoi mospranimin e kësaj gjetjeje në cilësinë e provës.
Trupi gjykues, pasi u konsultua, vendosi të pranojë në cilësinë e provës aktet shkresore të administruara nga Kolegji, në zbatim të vendimit të ndërmjetëm të trupit gjykues të datës 06.10.2025, gjetjen e vëzhguesit ndërkombëtar, së bashku me aktet bashkëshoqëruese si dhe qëndrimet e palëve për aktet e lartpërmendura të mbajtura gjatë seancës së sotme gjyqësore.
Lidhur me një kërkesë të përfaqësuesit ligjor të subjektit të rivlerësimit, për administrimin e njoftimit të vendimit të dhënë nga Gjykata e Lartë për dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kolegji bëri me dije se mund ta aksesojë atë nëpërmjet burimeve të hapura.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, në seancën e radhës që do të zhvillohet më datë 10.02.2026, ora 14.00.
Seanca e ardhshme gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
