Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 04.02.2026, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) nr. 36/2024, datë 09.09.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 778, datë 28.06.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Vjollca Spahiu.
Kryesuesi i trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se subjektit i rivlerësimit, znj. Vjollca Spahiu gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë, të pamjaftueshëm të pasurisë, si dhe me mungesë të burimeve financiare të ligjshme, sipas nenit 61, pika 3 e ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Z. Adnan Xholi deklaroi se veprimet juridike fiktive të ndërmarra prej saj me qëllim përfitimin e një kredie tregtare e vendosin në kushtet e nenit 61, pika 5 të ligjit 84/2016, cenimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se gjatë procesit në Kolegj, subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të paraqesë prova dhe argumenta shtesë në kundërshtim të ankimit, por referuar gjendjes që janë aktet aktualisht, z. Xholi kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 778, datë 28.06.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Vjollca Spahiu.
Subjekti i rivlerësimit, në parashtrimet e saj, deklaroi se shkaqet e ankimit janë të pabazuara në ligj e në prova, të paargumentuara, jo racionale dhe në mospërputhje me dispozitat e nenit 61, pika 3 dhe 5 të ligjit 84/2016. Në mbështetje të pretendimeve të saj, znj. Vjollca Spahiu paraqiti akte të reja, të cilat kërkoi të pranohen në cilësinë e provës.
Në vijim, trupi gjykues vendosi çeljen e hetimit gjyqësor dhe pranimin në cilësinë e provës të akteve të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. Për t’u dhënë kohë të arsyeshme palëve për përgatitjen e tyre, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 11.02.2026, ora 14:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
