Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 11.10.2019, ora 11:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.34/2018, datë 13.11.2018, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 62, datë 03.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Artur Malaj.
Gjatë parashtrimit mbi vlerën provuese të provave, Komisioneri Publik deklaroi se provat në tërësi nuk ndikojnë as në ndryshimin e përfundimeve të nxjerra nga Komisioneri Publik, as në ndryshimin e shkaqeve të ankimit.
Subjekti i rivlerësimit i kërkoi trupit gjykues marrjen si provë të disa akteve të reja, nga të cilat, trupi gjykues pranoi vetëm një kërkesë drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme Tatimore, ndërsa nuk pranoi marrjen si provë të akteve të tjera, bazuar në nenin 49, pika 6, të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Trupi gjykues vendosi të administrojë në cilësinë e provës të gjitha aktet në tërësi dhe gjetjet e depozituara nga vëzhguesi ndërkombëtar, në funksion të shqyrtimit të çështjes, si dhe vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor, duke ftuar palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancën e datës 16.10.2019, ora 09:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.