- 1111.March.Friday
Dhomë këshillimi
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 03.03.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore në dhomë këshillimi të çështjes (JR) 3/2022, datë 13.01.2022 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Skënder Damini kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 485, datë 14.12.2021.
Për arsye se u vendos t’i kërkohet Këshillit të Lartë Gjyqësor informacion shtesë në funksion të shqyrtimit të çështjes, seanca gjyqësore u shty për në datën 11.03.2022, ora 9:00.
Seanca gjyqësore në dhomë këshillimi do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.
Seancë Publike
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 11.03.2022, ora 10:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 2/2021, datë 26.03.2021, me ankues Markelian Kuqo, kundër vendimit nr.633, datë 10.12.2020 të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për caktimin e masës disiplinore ndaj gjyqtarit Markelian Kuqo” dhe me subjekte të interesuar, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
Në vijim të seancës së mëparshme, përfaqësuesi i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe përfaqësueset e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë iu përgjigjën pyetjeve të ankuesit lidhur me rrethanat që çuan në marrjen e vendimit nr.633, datë 10.12.2020 të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për caktimin e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra të gjyqtarit Markelian Kuqo”.
Ankuesi, z. Markelian Kuqo paraqiti kundërargumentat e tij lidhur vetëm me disa nga përgjigjet e dhëna nga subjektet e interesuar dhe kërkoi: vënien në dispozicion të cd-së audio të një séance dëgjimore të tij të zhvilluar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, më datë 10 dhjetor 2020, si dhe kohë të përshtatshme për të përpunuar parashtrimet e tij lidhur me pjesën tjetër të përgjigjeve të subjekteve të interesuar.
Pasi dëgjoi qëndrimin e subjekteve të interesuar, që i konsideruan të papranueshme të dyja kërkesat e ankuesit, trupi gjykues vendosi të rrëzojë kërkesën e parë, duke vlerësuar se kërkohet të prodhohet një rrethanë që nuk ka ndodhur gjatë procesit disiplinor të zhvilluar nga KLGj-ja. Trupi gjykues vendosi të rrëzojë edhe kërkesën e dytë, duke ftuar ankuesin që qëndrimin për përgjigjet e mbetura ta mbante në vijim të seancës së sotme.
Ankuesi, z. Markelian Kuqo refuzoi të parashtronte qëndrimin e tij për përgjigjet e mbetura gjatë seancës së sotme gjyqësore, por kërkoi administrimin në cilësinë e provës të parashtrimeve për aq sa u shpreh.
Referuar rrethanave të çështjes objekt shqyrtimi, mungesës së kontrollit përfundimtar dhe të plotë të sistemit gjyqësor mbi vendimmarrjen e vetme të magjistratit që është konsideruar se ka përbërë shkelje disiplinore, interpretimit dhe analizës së ligjit penal të kryer në çështjen konkrete, në kushtet e mungesës së një praktike gjyqësore të njesuar apo të unifikuar nga Gjykata e Lartë, duke vlerësuar se marrja e një vendimi për procedimin disiplinor të ankuesit do të ishte e cënueshme pa pasur një qëndrim përfundimtar të Gjykatës së Lartë mbi këtë çështje – si gjykata kompetente për çështjet e ligjit -, bazuar në nenin 1, paragrafi i dytë i ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikën së Shqipërisë”, i ndryshuar, nenin 297, shkronja “a” të Kodit të Procedurës Civile, me shumicë votash, Kolegji vendosi:
- Të pezullojë gjykimin e çështjes së juridiksionit disiplinor me nr. 2/2021, që i përket ankuesit Markelian Kuqo deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes penale lidhur me rekursin e shtetasit G. Gj. të depozituar në Gjykatën e Lartë.
- Ky vendim t’i njoftohet Gjykatës së Lartë.
Seanca pasuese publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.
Njoftim vendimi
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Mimoza Tasi kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama, Natasha Mulaj anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.3/2022, datë 13.01.2022, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Skënder Damini kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 485, datë 14.12.2021.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 485, datë 14.12.2021, që i përket subjektit të rivlerësimit Skënder Damini.
- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 11.03.2022.