Kolegji i Posaçëm i Apelimit çeli sot, më datë 23.04.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 20/2021, datë 21.04.2021, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Bib Ndreca kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 337, datë 18.01.2021.
Duke qenë se vëzhguesja ndërkombëtare e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit znj. Maria Tuma, e cila kishte ndjekur këtë çështje gjatë procesit të zhvilluar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe më pas në seancën gjyqësore në dhomë këshillimi të datës 19.03 2024 në Kolegj, e kishte objektivisht të pamundur të ishte e pranishme në seancën e sotme, zëvendësohej nga vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs. Në fillim të gjykimit, z. Jacobs i kërkoi trupit gjykues shtyrje të seancës gjyqësore për një kohë të arsyeshme, për t’i dhënë mundësinë znj.Tuma të jetë e pranishme personalisht në gjykimin e çështjes, pasi ai nuk ishte i njohur me të.
Pasi dëgjoi qëndrimin e subjektit të rivlerësimit për të lënë në çmimin e gjykatës pranimin ose jo të kësaj kërkese, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datën 14.05.2024, ora 10:00, për t’i dhënë mundësinë vëzhgueses ndërkombëtare Maria Tuma të jetë e pranishme në debatin gjyqësor të çështjes.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.