Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 23 prill 2019, ora 10.00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) 20/2018, datë 17.10.2018, për ankimin e subjektit të rivlerësimit Rovena Gashi kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 48, datë 25.07.2018.
Gjatë seancës së sotme gjyqësore, subjekti i rivlerësimit, znj.Rovena Gashi, paraqiti kërkesën për të pasur si përfaqësuese ligjore në të gjitha seancat në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, motrën e saj, znj.Ema Gashi, bazuar në nenin 96 të Kodit të Procedurës Civile, paragrafi i parë, germa “b”, sipas të cilit, motra mund të jetë përfaqësuese ligjore në gjykim.
Me vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues rrëzoi këtë kërkesë të subjektit të rivlerësimit, pasi konstatoi se, ashtu siç znj.Ema Gashi ka deklaruar vetë në seancën e datës 4 prill 2019, është gjyqtare në gjykatën e rrethit gjyqësor Durrës, rrjedhimisht, ka ndalim ligjor të shprehur sipas nenit 96, paragrafi i dytë, germa “ç” të Kodit të Procedurës Civile, në të cilin parashikohet që një gjyqtar ndalohet të jetë përfaqësues i palëve përpara një gjykate.
Pas këtij vendimi të ndërmjetëm, subjekti i rivlerësimit znj.Rovena Gashi, i paraqiti trupit gjykues kërkesën që në këtë gjykim në Kolegj, të mbrohet me përfaqësues ligjor, si dhe kërkoi dy javë kohë për të zgjedhur një përfaqësues ligjor që të plotësojë kushtet e parashikuara në nenin 96 të Kodit të Procedurës Civile.
Kjo kërkesë e subjektit të rivlerësimit u pranua me vendim të ndërmjetëm nga trupi gjykues, i cili vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 6.05.2019, ora 10:00.
Seanca do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.”