Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 06.03.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.44/2019, datë 18.09.2019 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 162, datë 19.06.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Manjola Kajana.

Gjatë parashtrimit të shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit çeljen e hetimit gjyqësor dhe marrjen e provave përkatëse në funksion të ankimit. Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit nr. 162, datë 19.06.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Subjekti i rivlerësimit, znj. Kajana, paraqiti kundërshtimet e saj në përgjigje të secilit prej shkaqeve të ankimit, duke i kërkuar Kolegjit të çelë hetimin gjyqësor dhe të pranojë në cilësinë e provës disa akte shtesë të depozituara prej saj gjatë seancës së sotme gjyqësore.

Pasi dëgjoi kërkimet e palëve, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor të çështjes dhe të lejojë marrjen në cilësinë e provës të akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit.

Në funksion të shkaqeve të ankimit dhe hetimit gjyqësor të çështjes, trupi gjykues vendosi t’i kërkojë informacione shtesë Gjykatës së Rrethit Fier, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, Prokurorisë së Përgjithshme, Bashkisë Fier, si dhe Degës Tatimore Rajonale Dibër.

Në pritje të kthimit të përgjigjeve të mësipërme, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 26 mars 2020, ora 09:30.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.