Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 03.09.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 21/2019, datë 24.04.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 103, datë 05.02.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Donika Prela.
Kryesuesja e seancës bëri me dije se dy trupa të ndryshme gjykues të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit kanë vendosur hedhjen poshtë të kërkesës së subjektit të rivlerësimit për përjashtimin nga trupi gjykues të kryesueses, gjyqtares Natasha Mulaj dhe anëtares së kësaj trupe, gjyqtares Ina Rama. Subjekti i rivlerësimit, znj. Prela, konfirmoi se ishte njohur me të dyja vendimet për hedhjen poshtë të kërkesës së saj për përjashtim.
Në qëndrimin e tij lidhur me aktet e reja që subjekti i rivlerësimit depozitoi pranë trupit gjykues në seancën e datës 17 korrik 2020, Komisioneri Publik deklaroi se ato nuk pasqyrojnë vlerë të shtuar mbi provueshmërinë e fakteve që përmban ankimi. Komisioneri Publik i çmoi kërkesat e subjektit të rivlerësimit për përjashtimin e gjyqtareve Ina Rama dhe Natasha Mulaj si përpjekje për të vonuar procesin dhe gjykimin e çështjes së saj në veçanti dhe i kërkoi Kolegjit që këtë vlerësim, ta mbajë parasysh në vlerësimin përfundimtar, krahas shkaqeve të ankimit.
Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit kërkoi riçeljen e hetimit si dhe i kërkoi kohë trupit gjykues për t’u njohur me aktet e rejat, me arsyetimin se është caktuar rishtas në pozicionin e përfaqësueses ligjore.
Me vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues vendosi të riçelë hetimin gjyqësor të çështjes, duke lejuar marrjen në cilësinë e provës të akteve të reja të depozituara nga subjekti i rivlerësimit dhe të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 11.09.2020, ora 10:00, duke u kërkuar palëve, të jenë të përgatitura edhe për konkluzionet përfundimtare të çështjes.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.