Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 15.02.2022, ora 10:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 2/2021, datë 26.03.2021, me ankues Markelian Kuqo, kundër vendimit nr.633, datë 10.12.2020 të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për caktimin e masës disiplinore ndaj gjyqtarit Markelian Kuqo” dhe me subjekte të interesuar, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, ankuesi paraqiti një kërkesë paraprake, nëpërmjet së cilës i kërkoi Kolegjit të konstatojë mungesën e kompetencës lëndore dhe funksionale për shqyrtimin e çështjes së tij dhe dërgimin e akteve Gjykatës Kushtetuese.
Të pyetur nga kryesuesja e seancës për qëndrimin e tyre lidhur me këtë kërkesë, përfaqësuesit e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë deklaruan se kërkesa është e pabazuar në ligj dhe si e tillë, duhet rrëzuar.
Pasi u këshillua, bazuar në nenin 179/7 të Kushtetutës, nenin 5/3 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, në nenin 71/3 të ligjit 8577/2000”Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, si dhe në referencë të vendimit nr.35, datë 26 shkurt 2021 të Kolegjit të Shqyrtimit Paraprak të Gjykatës Kushtetuese, trupi gjykues vendosi rrëzimin e kërkesës së ankuesit Markelian Kuqo.
Lidhur me kërkesën tjetër paraprake të ankuesit, nëpërmjet së cilës paraqiti pretendime mbi parashtrimet e KLGJ-së dhe ILD-së, si dhe aktet e procedimit disiplinor të administruara nga KLGJ, trupi gjykues vendosi që këto kërkesa në vetvete nuk konsiderohen si kërkesa paraprake, ndaj, për këtë arsye, ato mund të zgjidhen gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes në Kolegj.
Pasi relatorja paraqiti në mënyrë të përmbledhur ankimin e z. Markelian Kuqo, kryesuesja e seancës ftoi ankuesin të paraqiste parashtrimin e tij në seancën gjyqësore. Ankuesi kërkoi kohë shtesë për të plotësuar ankimin e tij, duke e parë në një këndvështrim të ri pas marrjes së vendimit të ndërmjetëm të Kolegjit. Duke qenë se kjo kërkesë u rrëzua nga trupi gjykues me arsyetimin se vendimi i shpallur në seancën e sotme nuk afekton ankimin, z. Markelian Kuqo deklaroi vetëm se i qëndron ankimit të tij.
Subjektet e interesuara KLGj dhe ILD paraqitën parashtrimet e tyre, duke i kërkuar Kolegjit rrëzimin e ankimit të ankuesit z.Markelian Kuqo dhe lënien në fuqi të vendimit nr.633, datë 10.12.2020 të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për caktimin e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra të gjyqtarit Markelian Kuqo”.
Ankuesi i drejtoi një sërë pyetjesh që lidhen me rrethanat që çuan në këtë vendimarrje, përfaqësuesit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe përfaqësueseve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Në përgjigje të kërkesës së subjekteve të interesuara për kohë të arsyeshme për përgatitjen e përgjigjeve, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 11.03.2022, ora 10:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.