Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 6 maj 2019, ora 10.00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) 20/2018, datë 17.10.2018, për ankimin e subjektit të rivlerësimit Rovena Gashi kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 48, datë 25.07.2018.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore, subjekti i rivlerësimit paraqiti pranë trupit gjykues të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, një kërkesë që znj.Ema Gashi i ka paraqitur Këshillit të Lartë Gjyqësor, nëpërmjet së cilës deklarohet dorëheqja e saj nga detyra si gjyqtare në rrethin gjyqësor Durrës, si dhe dorëheqja dhe mbarimi i statusit të magjistratit në Republikën e Shqipërisë. Pas depozitimit të kësaj kërkese, subjekti i rivlerësimit, znj.Rovena Gashi i kërkoi sërish trupit gjykues të ketë si përfaqësuese ligjore në proces, motrën e saj, znj.Ema Gashi.

Me një vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues argumentoi:

Sipas nenit 65, pika 2, të ligjit nr. 96/2016, Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, dorëheqja duhet të jetë me shkrim dhe nuk është e nevojshme të jetë e arsyetuar; dorëheqja i jep efektet në fund të muajit pasardhës, nga dita kur Këshilli merr deklarimin me shkrim të dorëheqjes. Mbarimi i statusit të magjistratit deklarohet me vendim të Këshillit, jo më vonë se dy javë nga mbarimi i statusit; po kështu neni 65, paragrafi 3, përcakton se në raste të justifikuara me kërkesë të motivuar dhe me miratim të Këshillit, dorëheqja mund të japë efekte përpara kohës së përcaktuar në pikën 2 të këtij neni.

Nga deklarimi dhe kërkesa e paraqitur para kësaj gjykate, por edhe siç u shpjegua nga subjekti i rivlerësimit në këtë seancë, nuk rezulton të ketë një kërkesë të posaçme në përputhje me parashikimet e nenit 65, paragrafi 3 i ligjit të Statusit të Magjistratit. 

Nëse do t’i referohemi me afate konkrete, se kur kjo kërkesë apo ky deklarim nga znj. Ema Gashi do të prodhonte efekte të mbarimit të statusit të magjistratit, trupi gjykues vlerëson se ky afat, sipas parashikimeve të nenit 65 pika 2, do të ishte 30 qershori 2019, ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor do të duhej të shprehej deri në 14 korrik 2019. Nëse kërkesa e bërë nga znj Ema Gashi do të ishte e motivuar sipas parashikimeve të nenit 65, paragrafi 3 i ligjit, atëherë si dorëheqja, por edhe vendimmarrja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, do të kishin efekte para afateve të parashikuara në nenin 65, paragrafi 2 i ligjit të statusit të magjistratit.

Nga ana tjetër, sipas nenit 93 të Kodit të Procedurës Civile, subjekti i rivlerësimit është në kategorinë e personave të cilët kanë zotësi të plotë për të vepruar, pra, mund t’i kryejnë vetë të gjitha veprimet procedurale, përveçse kur ligji parashikon ndryshe. Subjekti i rivlerësimit, në vlerësimin e trupit gjykues, nuk është në kategorinë e subjekteve që ka nevojë për t’u mbrojtur me përfaqësues ligjor të caktuar nga shteti. Në këto kushte, trupi gjykues çmon se nuk pranon kërkesën e sotme të subjektit të rivlerësimit për t’u përfaqësuar në këtë proces nga znj. Ema Gashi, e cila është ende gjyqtare në rrethin gjyqësor Durrës, pasi kjo kërkesë është në kundërshtim të hapur me nenin 96, paragrafi i dytë, germa “ç” të Kodit të Procedurës Civile.

Pas këtij vendimi të ndërmjetëm, subjekti i rivlerësimit u largua nga salla. Trupi gjykues vendosi vijimin e gjykimit, në mungesë të subjektit të rivlerësimit.

Kryesuesja e seancës lexoi të plotë gjetjen dhe provat bashkëlidhur saj të paraqitura në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga vëzhguesja ndërkombëtare znj. Mia Roessingh – Bakels. Kjo gjetje është paraqitur nga vëzhguesja e ONM-së për arsye se subjekti i rivlerësimit, në ankimin e paraqitur kundër vendimit nr.48 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ka pretenduar pamundësinë për të qenë e pranishme në seancën publike të zhvilluar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më datë 20 korrik 2018. Bashkëlidhur këtij ankimi, subjekti i rivlerësimit kishte vendosur një raport mjekësor për të vërtetuar pretendimin e paraqitur.

Trupi gjykues, pasi administroi gjetjen dhe provat bashkëlidhur saj në fashikullin e çështjes, mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe vendosi të shpallë vendimin përfundimtar për çështjen (JR) 20/2018, datë 17.10.2018, më datë 29 maj, ora 14.00.

Seanca do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.