2025-11-25 All day
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 13.11.2025, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 53/2023, datë 09.11.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 702, datë 27.09.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Agron Bushati.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho deklaroi se shkeljet e konstatuara të subjektit të rivlerësimit janë të tilla që kualifikohen në ato që cenojnë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë, sipas nenit 61, pika 5, të ligjit 84/2016. Përfundimisht, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 702, datë 27.09.2023.
Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit deklaroi se kërkimi i masës ekstreme të shkarkimit nga përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, bazuar në pikën 5, të nenit 61, cenim i besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë, bie ndesh me parashikimet ligjore që përcakton Aneksi i Kushtetutës, ligji i posaçëm, por edhe praktika e Kolegjit. Sipas përfaqësueses ligjore, referimi në këtë nen, mund të bëhej vetëm nëse do të kishte një vlerësim tërësor të tri kritereve të vlerësimit, ndërkohë që z. Bushati ka arritur nivel të besueshëm në dy kriteret e tjera, atë të pasurisë dhe të figurës. Gjithashtu, sa i përket episodeve të pretenduara si shkaqe që kanë cenuar besimin e publikut, përfaqësuesja ligjore deklaroi se konstatohet një mungesë tërësore e lidhjes shkakësore që do të mund të çonte në cënimin e presupozuar të besimit të publikut.
Pasi dëgjoi qëndrimet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 25.11.2025, ora 10:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.