Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 22.04.2025, ora 11:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 41/2024, datë 21.10.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 762, datë 15.05.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Afrim Shehu.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme, z. Klodian Braho, deklaroi se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë, sipas përcaktimeve të nenit 61, pika 3 e ligjit nr. 84/2016 dhe përfundimisht, i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 762, datë 15.05.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Afrim Shehu.
Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit kundërshtoi ankimin si të pambështetur në ligj e në prova dhe i kërkoi Kolegjit të mbajë në konsideratë faktin se pasaktësitë në deklarimin e pasurisë, bazuar edhe në parimin e proporcionalitetit, nuk mund të përbëjnë rrethana që cenojnë besueshmërinë e subjektit të rivlerësimit për kriterin e pasurisë. Përfaqësuesja ligjore, përfundimisht, i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit nr. 762, datë 15.05.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 08.05.2025, ora 14:30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.