2026-01-20 All day
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 20.01.2026, ora 12:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) nr. 32/2024, datë 03.09.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 756, datë 09.04.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Klerona Meçi.
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Altin Dumani, i pranishëm në seancë.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi heqjen dorë nga ankimi i Komisionerit Publik, pasi nga shqyrtimi i dokumenteve në dosje nuk kishin rezultuar rrethana të tilla që mund të kishin ndikuar në krijimin e pasurisë së znj. Klerona Meçi për shkak të detyrës.
Në këto kushte, trupi gjykues vendosi të tërhiqet në dhomë këshillimi për marrjen dhe shpalljen e vendimit përfundimtar si më poshtë vijon:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Ina Rama relatore, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 32/2024, datë 03.09.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 756, datë 09.04.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Klerona Meçi.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 4, pika 6 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe në nenet 451, shkronja “b” e 463 të Kodit të Procedurës Civile, në mënyrë unanime, vendosi:
Pushimin e shqyrtimit të çështjes (JR) nr. 32/2024, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 756, datë 09.04.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit Klerona Meçi.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 20.01.2026.