Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 04.02.2026, ora 14:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) nr. 34/2024, datë 06.09.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 768, datë 31.05.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Sonjela Voskopi.
Pasi kryesuesi i seancës gjyqësore bëri me dije se janë kryer të gjitha veprimet hetimore të përcaktuara në vendimin e ndërmjetëm të seancës së mëparshme, të datës 19.01.2026 dhe pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, u vendos mbyllja e hetimit gjyqësor dhe u vijua me paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare të çështjes.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi deklaroi se, duke marrë në konsideratë njohjen në burim me informacionin e klasifikuar, përgjigjen e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në të cilën konfirmohet se nuk rezulton të jetë i regjistruar ndonjë kallëzim apo procedim penal në ngarkim të bashkëjetuesit të subjektit të rivlerësimit, si dhe duke analizuar të gjitha provat në dispozicion, problematikat e evidentuara për të tria kriteret e rivlerësimit nuk rezulton të jenë në atë masë për t’u konsideruar serioze, apo për të aplikuar masën e shkarkimit nga detyra. Z Xholi kërkoi që gjetjet në të tria kriteret, të figurës, profesionalizmit dhe pasurisë, të vlerësohen nga Kolegji në vlerësim tërësor të çështjes sipas nenit 4, pika 2 të ligjit 84/2016, duke vendosur lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 768, datë 31.05.2024.
Subjekti i rivlerësimit e vlerësoi të drejtë dhe proporcional qëndrimin përfundimtar të përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe përfundimisht, i kërkoi Kolegjit pushimin e shqyrtimit të çështjes (JR) nr. 34/2024, datë 06.09.2024.
Pasi trupi gjykues dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 05.02.2026, ora 14:30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
