Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 28.10.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 6/2024, datë 14.02.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 724, datë 13.12.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Arben Agovi.
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se gjatë ushtrimit të detyrës nga subjekti i rivlerësimit, në mënyrë të përsëritur, vërehet mungesë e ndërmarrjes së hetimeve dhe mbledhjes së provave, si dhe mungesë e arsyetimit logjik gjatë trajtimit të procedimeve penale. Lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se edhe pse pamjaftueshmëria financiare e konstatuar në mbulimin me burime të ligjshme të pasurisë, nuk e tillë që do të mund të çonte në masën e shkarkimit nga detyra, duhet të merret në konsideratë nga Kolegji në vlerësimin tërësor të çështjes. Z. Klodjan Braho deklaroi se konkluzionet e mësipërme do të rivlerësohen pas shqyrtimit të provave dhe sqarimeve të subjektit të rivlerësimit gjatë procesit në Kolegj, por referuar gjendjes në të cilën janë aktet, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 724, datë 13.12.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Arben Agovi.
Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit, ndërsa dha shpjegime të detajuara lidhur me shkaqet e ankimit, deklaroi se ato janë formale dhe të pabazuara në aktet në dosje dhe se veprimet e ndërmarra nga subjekti i rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës janë të rregullta e të plota, çka vërtetohet edhe nga vendimet gjyqësore të çështjeve respektive. Përfaqësuesi ligjor kundërshtoi qëndrimin e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë, pasi sipas tij, nuk është një shkak ankimi i qenësishëm, i bazuar në prova. Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 724, datë 13.12.2023.
Lidhur me denoncimet e publikut, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se ato nuk përmbajnë të dhëna me rëndësi për çështjen. Subjekti i rivlerësimit ndau të njëjtin qëndrim me përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.
Pasi dëgjoi qëndrimet e palëve, trupi gjykues vendosi të mos çelë hetim për denoncimet, pasi nuk përmbushin kërkesat e nenit 53 të ligjit 84/2016.
Për t’u dhënë kohë të arsyeshme palëve për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 04.11.2025, ora 13:30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
