Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 19.01.2026, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) nr. 34/2024, datë 06.09.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 768, datë 31.05.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Sonjela Voskopi.
Kryesuesi i trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se fashikulli i gjykimit nuk përmban informacione të mjaftueshme për të mbajtur një qëndrim lidhur me kriterin e figurës dhe se rezulton e nevojshme njohja në burim me informacionin e klasifikuar në ngarkim të subjektit të rivlerësimit dhe personit të lidhur me të. Sipas z. Adnan Xholi, fakti që subjekti i rivlerësimit nuk ka treguar kujdes për të shmangur çdo dyshim lidhur me gjendjen e mundshme në kushtet e konfliktit të interesit në kuadër të kriterit të vlerësimit profesional, si dhe pamjaftueshmëria e evidentuar në burimin e krijimit të pasurisë, janë mangësi që duhet të analizohen nga Kolegji në vlerësimin tërësor të çështjes sipas nenit 4, pika 2 të ligjit 84/2016. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kërkoi çeljen e hetimit gjyqësor, me qëllim marrjen e provave të reja në kuadër të një hetimi tërësor të çështjes, duke vendosur në mënyrë alternative lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 768, datë 31.05.2024.
Subjekti i rivlerësimit, znj. Sonjela Voskopi dha shpjegime në prapësim të shkaqeve të ankimit, duke deklaruar se jo vetëm që ankimi nuk bazohet në asnjë provë të re, por gjetjet e evidentuara në të kanë në thelb interpretimin e njëanshëm të provave dhe nuk mund të përdoren në vlerësimin tërësor të çështjes për penalizmin e saj.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi:
– Të çelë hetimin gjyqësor për çështjen në funksion të verifikimit në burim të informacionit të klasifikuar që mund të disponojë insitucioni ligjzbatues dhe që do të kishte ndikim lidhur me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit.
– T’i kërkojë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) çdo informacion që disponohet lidhur me personin e lidhur me subjektin e rivlerësimit, që mund të konsiderohet i vlefshëm në funksion të shqyrtimit të këtij ankimi, mundësisht para seancës së radhës që do të zhvillohet në datën 04.02.2026, ora 14:00, me qëllim që t’i përcillet edhe subjektit të rivlerësimit.
Gjatë kësaj séance, palët duhet të jenë të përgatitura edhe për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Kryesuesi i seancës bëri me dije se para datës 04.02.2026, trupi gjykues do të njihet në burim me informacionin e klasifikuar, ndërkohë që gjatë kësaj kohe, ky veprim hetimor mund të ndërmerret edhe nga pala ankuese.
Seanca publike e radhës do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
