Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 24.10.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 55/2023, datë 24.11.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 704, datë 09.10.2023, për subjektin e rivlerësimit Elidon Hysenaj.
Në vijim të seancës së mëparshme, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho deklaroi se, pasi ishte njohur në burim me informacionin e klasifikuar, vlerësonte se problematikat në gjetjet e konstatuara lidhur me veprimet hetimore të ndërmarra nga subjekti i rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës, nuk ishin të rënda në shkallën që mund të justifikonin masën e shkarkimit nga detyra. Përfundimisht, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 704, datë 09.10.2023.
Subjekti i rivlerësimit shprehu dakordësinë me përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, duke vlerësuar qëndrimin e tij, të drejtë dhe profesional.
Pasi dëgjoi qëndrimet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 28.10.2025, ora 15:30.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.
