Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 05.11.2025, ora 13:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 18/2024, datë 24.05.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 738, datë 22.02.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gëzim Çopa.
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, z. Adnan Xholi, deklaroi se lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë, subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm dhe ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar krijimin e pasurive të tij të luajtshme e të paluajtshme. Disa gjetje të evidentuara lidhur me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kërkoi që, së bashku me problematikat në kriterin e vlerësimit të pasurisë, të vlerësohen nga Kolegji edhe lidhur me kriterin e vlerësimit të figurës, sipas nenit 4, pika 2 të ligjit 84/2016, në kuadër të nenit 61, pika 5 të po këtij ligji. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 738, datë 22.02.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesja e tij ligjore kundërshtuan shkaqet e ankimit dhe dhanë shpjegime të detajuara për secilin prej tyre, duke deklaruar se nëpërmjet provave në dosje vërtetohet burimi i ligjshëm i krijimit të pasurisë të subjektit të rivlerësimit dhe ndërmarrja e veprimeve të duhura hetimore prej tij gjatë ushtrimit të detyrës. Subjekti i rivlerësimit kërkoi të pranohen në cilësinë e provës disa akte bashkëlidhur parashtrimeve të tij.
Trupi gjykues, pasi u konsultua, vendosi të mos pranojë në cilësinë e provës aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, me arsyetimin se ato janë pjesë e fashikullit të dosjes së sjellë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Kryesuesja e seancës bëri me dije se këto akte do të mbahen në konsideratë nga Kolegji gjatë vlerësimit të çështjes.
Pasi palët u shprehën se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. Për t’u dhënë kohë të arsyeshme palëve për përgatitjen e tyre, u vendos shtyrja e seancës gjyqësore për në datën 26.11.2025, ora 10:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
