Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 20.01.2026, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) nr. 51/2023, datë 06.11.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 701, datë 25.09.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Jurida Bajraktari.
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, z. Klodjan Braho, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit lidhur me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se ndan qëndrim të ndryshëm nga ai i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që, pas konstatimit të mangësive profesionale nga ana e subjektit të rivlerësimit, pati vendosur pezullimin e saj nga detyra dhe detyrimin për të ndjekur trajnimin 1- vjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës. Z. Klodjan Braho deklaroi se nga analiza e akteve në dosje rezulton se subjekti i rivlerësimit ka dështuar të arrijë qoftë dhe nivelin minimal të kualifikimit për këtë kriter dhe se është evidentuar edhe deklarim i pasaktë i pasurisë prej saj. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme vlerësoi se problematikat janë të tilla që nuk mund të korrigjoheshin nga programi i trajnimit në Shkollën e Magjistraturës, se znj. Jurida Bajraktari duhet të konsiderohet e papërshtatshme për të vijuar detyrën bazuar në nenin 61/5 të ligjit 84/2016 dhe ndaj saj duhej aplikuar masa e shkarkimit nga detyra.
Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit prapësoi shkaqet e ankimit, duke deklaruar së pari, se problematikat në kriterin e pasurisë nuk janë të tilla që të përmbushin standardet e deklarimit të pasaktë dhe se nuk mund të konsiderohen shkelje me efekt penalizues. Ndërsa kundërshtoi një shkak ankimi, sipas të cilit procedura e punësimit të znj. Jurida Bajraktari në pozicionin e ndihmëses ligjore vlerësohet si cenim i etikës së saj profesionale, përfaqësuesja ligjore u ndal tek kriteri i vlerësimit të aftësive profesionale, duke deklaruar se subjekti i rivlerësimit ka korrigjuar mangësitë nëpërmjet trajnimit 1- vjeçar dhe se pavarësisht problematikave, ka arritur të ruaje integritetin profesional në ushtrimin e detyrës. Subjekti i rivlerësimit kërkoi mospranimin e ankimit dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 701, datë 25.09.2023.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa procedurale, kryesuesja e seancës gjyqësore i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. Për t’u dhënë kohë të arsyeshme për përgatitjen e tyre, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 27.01.2026, ora 9:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
